Arrestohet në Durrës 51-vjeçari i dënuar me 15 vjet burg në Itali për trafik droge

Një 51-vjeçar i dënuar me 15 vjet burgim në Itali për kryerjen e veprave penale “Grup kriminal me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike ” është arrestuar në Durrës me qëllim ekstradimi.

Shtetasi me iniciale K.P, banues në lagjen Nr.1 të qytetit bregdetar u arrestua nga Policia e Durrësit në bashkëpunim me Interpol Tirana dhe me Zyrën e Interforcës të Policisë italiane.

“Shtetasi K. P., ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet Gjyqësore në Itali, bazuar në Urdhër Arrestin në datë 08.03.2019, për kryerjen e veprave penale “Grup kriminal me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike”, pasi është dënuar me 15 vjet burgim” njofton policia.

Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës për veprime të mëtejshme.