Balla: Sulmet për “Rinasin” ndaj Policisë janë të turpshme. Po godasim krimin

Kryetari i Grupit Socialist Taulant Balla nëpërmjet një deklarate tha se lufta kundër krimit po intensifikohet çdo ditë, me goditje dhe arrestime. Referuar arrestimeve në Elbasan, sipas Ballës, goditja e djeshme e një grupi kriminal me tentakula në disa qytete të Shqipërisë, duhet të vijojë me goditje dhe arrestime të tjera.

“Lufta kundër krimit po intensifikohet çdo ditë, me goditje dhe arrestime, duke hyrë në një fazë tjetër kontrollesh dhe reagimesh parandaluese në mënyrë të dedikuar ndaj të gjithë ata që janë një bezdi për komunitetet, ata që kultivojnë apo shpërndajnë lëndë narkotike dhe që kanë plot precedentë të tjerë penalë. Këta soj duhet të jenë përditë nën presionin goditës të Policisë së Shtetit.

Goditja e djeshme e një grupi kriminal me tentakula në disa qytete të Shqipërisë, duhet të vijojë me goditje dhe arrestime të tjera”, tha deputeti socialist.

Referuar grabitjes së Rinasit, Kryetari i Grupit Socialist tha se sulmet e përsëritura për “Rinasin” ndaj Policisë së Shtetit janë gjëja më e turpshme.

“Sulmet e përsëritura këto ditë për rastin e “Rinasit” ndaj Policisë së Shtetit janë gjëja më e turpshme. Si kurrë më parë, Policia e Shtetit iu përgjigj grabitjes në mënyrë të menjëhershme, duke u vënë në ndjekje të keqbërësve dhe duke eliminuar organizatorin e grabitjes.

Policia e Shtetit u përgjigj edhe pse përballë nuk kishte disa grabitës të zakonshëm, por një grup të strukturuar kriminal, i armatosur deri në dhëmbë, i përbërë nga individë tejet të rrezikshëm që kanë qenë në gjendje të arratisen edhe nga burgje të vendeve të Bashkimit Europian”, përfundoi Balla.