Basha nga Mallakastra: Nëse nuk zgjidhet kriza politike, populli të marrë në dorën zgjidhjen

Kreu i opozitës Lulzim Basha këtë të shtunë është takuar me strukturat e partisë së tij në Mallakastër, ku është shprehur se kapja me dhunë, thyerja e dyerve, uzurpimi i selive të pushtetit vendor nga bandat e Edi Ramës është e paligjshme dhe kriminale.

Ndër të tjera në fjalën e tij kryedemokrati është shprehur se një nga gjërat e para që do të bëjë qeveria e re, e dalë me votë të lirë është që gjithsecili që ka shkelur ligjin dhe është kthyer në vegël të verbër të Edi Ramës, do të mbajë përgjegjësi ligjore.

Kreu i opozitës ka thënë se kushdo që ka shkelur Kushtetutën dhe ligjin pas dekretit të 10 qershorit do të ndëshkohet.

Ai e konsideroi hap fatal precedentin e kapjes së pushtetit me dhunë nga banda në pushtet.

“Popullit sovran i lind e drejta t’i përgjigjet këtij pushteti me të njëjtat mënyra dhe të mbrojë me të njëjtat mënyra kushtetutën dhe ligjin, në Mallakastër, në Fier, në Durrës, në Elbasan, në të gjithë Shqipërinë, por mbi të gjitha në Tiranë, atje ku paligjshmëria ka hedhur rrënjët, atje ku hajdutëria dhe kriminaliteti janë ngritur në fron. Atje, popullit sovran, nëse nuk i hapet rrugë zgjidhjes politike, zgjidhjes që çdo vend tjetër i rajonit e ka patur në kushte akoma më të lehta sesa kriza e sotme shqiptare, një qeverie tranzitore dhe zgjedhjeve të parakohshme, atëhere popullit sovran i lind e drejta ta marrë në dorën e vet zgjidhjen, me të gjitha format, mjetet dhe mënyrat që i gjykon të përshtatshme për të rivendosur demokracinë dhe drejtësinë.”