Çelja e negociatave, Çekia po lobon për Shqipërinë dhe Maqedoninë

Çekia mbështet çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë. Ministri i Punëve të Jashtme të Çekisë, z. Tomas Petricek deklaroi se kishte ndërmarrë një sërë takimesh me homologët e vendeve të BE-së për ti bindur për një vendim pozitiv në mbledhjen e Këshillit që do të mbahet në qershor.

 

Gjatë konferencës së përbashkët të shtypit me ministrin në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, z. Gent Cakaj, Petricek tha se ka ardhur koha që BE të mbajë premtimin.

 

Tomas Petricek: Së pari Republika çeke e ka mbështetur zgjerimin. Besojmë se do të kemi një konsensus për çeljen e negociatave në mbledhjen e këshillit në qershor. Kam biseduar me një sërë partnerësh dha jam përpjekur që tjua bëj të ditur rëndësinë që ka marrja e një vendimi pozitiv për popujt e këtyre vendeve sepse ka një mbështetje të konsiderueshme për BE nga popullsia në Maqedoninë e Veriut dhe Shqipëria. Zgjerimi ka dy anë ku duhen përmbushur premtimet. Duhen përmbushur dhe premtimet tona. Në aspektin praktik kam përmendur faktin se Shqipëria ka ndërmarrë një sërë reformash sidomos në gjyqësor dhe se detyrat që i kemi caktuar Shqipërisë për të bërë në pjesën më të madhe janë realizuar prandaj dhe parakushti për çeljen e negociatave është përmbushur. Do të shkoj në Francë në prill dhe do të diskutoj dhe me partnerin francez. Kam synim që të krijoj një atmosferë pozitive në mënyrë që të merret një vendim pozitiv për çeljen e negociatave.

 

Nga ana e tij ministri në detyrë Gent Cakaj tha se Shqipëria do të vijojë me reformat dhe se mbetet shpresëplotë që vendet anëtare të BE-së do i përgjigjen pozitivisht progresit të ndërmarrjeve në Shqipëri gjatë kësaj periudhe.

 

Gent Cakaj: Kohët e fundit flitet për lodhje nga zgjerimi por kjo asesi nuk manifestohet në lodhje të popullit të Shqipërisë dhe institucioneve të saj për të vijuar reformat Për ne është e rëndësishme të vazhdojmë axhendën pozitive të reformave dhe të mbesim shpresëplotë që vendet anëtare të BE-së do i përgjigjen pozitivisht progresit të ndërmarrjeve në Shqipëri gjatë kësaj periudhe. Ne mbesim komuniteti më pro europian në rajon.