“Çfarë parashikon Kodi Penal për ata që i bien ndesh zgjedhjeve”

Kryeministri Edi Rama theksoi mbrëmjen e sotme në studion e “Open”, se është Kodi Penal që parashikon masat që ndërmerren ndaj atyre që i bien ndesh një institucioni themelor, si zgjedhjet.

I vendosur përballë pyetjes se çfarë masash do të merren për sigurinë e zgjedhjeve të 30 qershorit, meqenëse opozita pretendon se nuk do të ketë zgjedhje më 30 qershor, Kryeministri Rama theksoi se nëse kjo situatë do të ndodhte, kjo nuk do të ishte më një çështje politike, por kriminale e opozitës, pasi si e tillë parashikohet nga Kodi Penal.

“Parapërfytyroni sikur kjo të kthehej në normë dhe çdo opozitë t’i jepte vetes të drejtën që unë mund të kërcënoj me shkatërrim të rendit kushtetues dhe unë mund të kërcënoj vendin tim, që o bëhet si them unë, o nuk bëj zgjedhje. Kjo është kriminale, kjo hyn te Kodi Penal, nuk është më politike. Shkruhet në Kod se çfarë i gjen ata që i bien ndesh institucioneve themelore demokratike”, – tha Rama.

Kryeministri theksoi se ndërhyrja e Presidentit për datën e zgjedhjeve është korrekte nga ana e tij, pasi është brenda kornizës kushtetuese që i jep presidentit fuqinë për të qenë një zë në këtë fazë.

“Në kuadër të përpjekjeve të Presidentit dhe e kuptueshme, por ne nuk kemi asnjë tundim për të vënë në dyshim datën e zgjedhjeve. Zgjedhjet në 30 qershor nuk i kemi caktuar ne, e kemi ditur prej shumë kohësh se kur janë zgjedhjet, kemi punuar dhe jemi gati të jemi para atyre që janë pronarët e zgjedhjeve, popullit”, – tha Rama.