Dorëhiqet Valdrin Pjetri: Para ligjit si qytetar i thjeshtë!

Është dorëhequr nga marrja e detyrës si kryebashkiak i Shkodrës, Valdrin Pjetri. Dorëheqja e Pjetrit vjen pas akuzave të opozitës se është dënuar në Itali për trafik droge. Lajmin e dorëheqjes e ka bërë të ditur vetë Pjetri, i zgjedhur nga votimet e 30 qershorit për të drejtuar Bashkinë e Shkodrës.Përmes një mesazhi në “Facebook”, Pjetri shkruan se ka vendosur të heqë dorë nga posti i kryebashkiakut, për ta përqendruar gjithë vëmendjen dhe energjitë e tij në zgjidhjen dhe sqarimin ligjor të akuzave të opozitës.I ndërgjegjshëm për rëndësinë e imazhit politik dhe i vendosur që këtë sqarim ligjor t’a ndërmarr në pozitat e qytetarit të thjeshtë, pa iu bërë barrë askujt, vendos të dorëhiqem nga marrja e detyrës së Kryetarit të Bashkisë Shkodër”, shkruan ndër të tjera Pjetri.

Statusi i Pjetrit:

Të dashur miq, bashkëqytetar, votues të Bashkisë Shkodër, anëtarë të PS, bashkëpunëtorë të mi…. Ditët e fundit jam gjendur në mes të një stuhie mediatike ku akuzat dhe thashethemet i zunë vendin fakteve dhe të vërtetës.Një ngjarje krejt banale e ndodhur në mes të shokëve të mi bashkëstudent, në të cilën unë nuk kam asnjë faj e përgjegjësi e nuk i kisha kushtuar rëndësi, 17 vjet më parë në moshën 20 vjeçare, u nxor nga konteksti dhe rreth saj u ngritën akuza e linçime përtej çdo skrupulli moral e njerëzor.Nuk e kisha menduar kurrë që një ditë do të gjendesha përballë akuzave të tilla. Dhe sado i bindur të jem në pafajsinë ligjore dhe pastërtinë morale të personit tim, me keqardhje ju rrëfej se të tilla shpifje kanë shkaktuar dhimbje të mëdha te unë e familja ime dhe se unë kurrë nuk kam qënë pjesë e kësaj kategorie për të cilën sot akuzohem.Në këto kushte, vëmendja dhe energjitë e mia do të përqendrohen tanimë tërësisht në zgjidhjen dhe sqarimin ligjor të kësaj ngjarje të 17 viteve më parë, ngjarje për të cilën në dijeninë time nuk kam pasur asnjë përgjegjësi ligjore në atë kohë.I ndërgjegjshëm për rëndësinë e imazhit politik dhe i vendosur që këtë sqarim ligjor t’a ndërmarr në pozitat e qytetarit të thjeshtë, pa iu bërë barrë askujt, vendos të dorëhiqem nga marrja e detyrës së Kryetarit të Bashkisë Shkodër.Ju jam mirënjohës të gjithëve për ndihmën dhe mbështetjen që më dhatë në fushatë!Ishte një endërr e bukur t’i jepnim Shkodrës atë çka meriton. Por fatet e një qyteti nuk duhen të jenë kurrë të lidhura pashmangshmërisht me fatet e një individi, cilido qoftë ai.Së fundi, ju jam pafundësisht mirënjohës të gjithë atyre që më kanë mbështetur apo dërguar mesazhe solidariteti në këto ditë të vështira për mua.

Ju uroj me gjithë shpirt më të mirën për Ju dhe familjen Tuaj!