Me Hysajn që shkëlqen, objektivi i Napolit është më i realizueshëm

143 0

Pak nga pak ka surprizuar edhe më skeptikët e mundshëm. Elseid Hysaj është kthyer në njeriun kyç të krahut të djathtë të formacionit të Napolit.

Mbrojtësi i krahut është përmirësuar aq shumë, jo vetëm në fazën mbrojtëse, por edhe në aspektin teknik, aq sa ka merituar edhe lavdërimet e Maurizio Sarrit në konferencën për shtyp pas fitores së napolitanëve përballë Lacios.

“Sektori i djathtë përbëhet nga djem të rritur shumë në aspektin e ndërhyrjeve të sakta dhe shpejtësisë së të menduarit. Po i japin gjithnjë e më shumë pastërti futbollit të luajtur, e s’kam çfarë të them tjetër veçse të konfirmoj se janë dy futbollistë që janë rritur shumë, e që japin përshtypjen se mund të përmirësohen ende”, thoshte Sarri.

Performancat e shkodranit të Kombëtares kuqezi kanë tërhequr edhe vëmendjen e interesimin e klubeve më të mëdha europiane, prej kohësh tashmë, por gjithçka do të varet nga qëndrimi i Sarrit në pankinën e të kaltërve.

Pikërisht këtë zbuloi pak ditë më parë edhe agjenti i tij, Mario Giuffredi, kur foli për radion “CRC”.

“Merkatoja e Napolit do të varet nga qëndrimi ose jo i Sarrit në pankinë. Për momentin, besoj se të gjithë mendojnë vetëm fitimin e titullit kampion në Serie A”, konfirmonte agjenti.

E për Hysajn kjo bëhet më specifike, duke ditur se ai e njeh trajnerin toskan që prej kohës kur luante me Empolin, kur talenti i ri shkodran hidhej për herë të parë në formacion nga Sarri.

I lindur në vitin 1994, anësori shqiptar është i çmuar si në fazën mbrojtëse, por gjatë muajve të fundit ka bërë shumë edhe në fazën sulmuese, duke formuar së bashku me Allan dhe Callejon një trinom të niveleve të larta.

Merkatoja verore e futbollit është ende larg, objektivi aktual është fitorja e titullit aq shumë të lakmuar nga Napoli, por me një Hysaj në një formë të tillë, gjithçka është më e realizueshme.

Related Post

Antena Televizion