Japonia: Të vazhdojë dialogu Kosovë-Serbi

Edhe shteti i Japonisë ka kërkuar që dialogu Kosovë-Serbi të rikthehet në tryezë. Ministri i Jashtëm i Japonisë, Taro Kono, është duke qëndruar për një vizitë zyrtare në Serbi.Siç shkruajnë mediet serbe, Kono është takuar me homologun e tij serb, Ivca Daçiç dhe njëra ndër temat e takimit ishte edhe Kosova.Në këtë takim, Daçiç e ka falënderuar Tokon për abstenimin e Japonisë në votimin e tyre për anëtarësim të Kosovës në UNESCO dhe INTERPOL, pavarësisht se Japonia është shtet i cili e njeh pavarësinë e Kosovës.“Ne e vlerësojmë shumë sepse besojmë se të gjithë duhet të presin përfundimin e dialogut dhe marrëveshjen përfundimtare dhe të mos bëjnë lëvizje të njëanshme, siç është anëtarësimi në organizata të caktuara ndërkombëtare”, theksoi Daçiç.Sipas medieve serbe, Daçiç citohet t’i ketë thënë Konos se Serbia dëshironte paqe, marrëveshje, kompromis, por nuk mund të pranonte akte të njëanshme që sipas tij, e kërcënonin interesat kombëtar dhe shtetëror.Në anën tjetër ministri Kono, citohet të ketë thënë se stabiliteti i Ballkanit Perëndimor nuk është vetëm një çështje rajonale dhe evropiane, por siç u shpreh ai, është një çështje strategjike edhe për Japoninë.“Japonia mirëpret rolin e Serbisë në promovimin e paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor”, citohet të ketë thënë Kono, i cili shtoi se, Japonia do të vazhdojë të mbështesë reformat ekonomike të Serbisë dhe pranimin e Serbisë në BE.“Japonia gjithashtu inkurajon bashkëpunimin midis vendeve brenda Ballkanit Perëndimor”, tha Kono.Në anën tjetër, Jun Saito, përfaqësues i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Japonisë në Beograd, ka thënë se pozicioni i i Japonisë sa i përket çështjes së dialogut Kosovë-Serbi, është se ky dialog duhet të vazhdojë, por që taksa duhet të hiqet.“Pozicioni themelor i Japonisë është se dialogu duhet të vazhdojë”, tha Saito, duke theksuar se ky është qëndrimi zyrtar i Tokios në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi.