Kalvari i vuajtjeve të familjes Myrtja, mes luftës për mbijetesë

16 0

Ura e Shtenjtë, një mrekulli e natyrës. Kjo e fundit ka ditur shumë mirë të skalit deri në detajet më të imta, gurët, shkëmbinjtë, malet, majat, pemët dhe ujin kristal që rrjedh mes bjeshkësh e kanionesh të jashtëzakonshme të Postribës. Në mesin e kësaj bukurie të virgjër, rreth 40 minuta larg qytetit të Shkodrës, 18.4 kilometër rrugë, gjejmë këmbëkryq varfërinë, skamjen dhe luftën për mbijetesë të një familjeje, e cila bie në kontrast me bukuritë e pamasë të kësaj zone.

Familja Myrtja, e përbërë prej nëntë anëtarësh, shtatë fëmijët dhe dy prindërit, jeton në një gjendje ekstreme të varfërisë. Mes lotësh, luftës për ekzistencë dhe tmerrit për të gjetur edhe një vakt tjetër. Kryefamiljari, Ymeri, në një intervistë ekskluzive për Antena Televizion, rrëfen historinë e një jete të vështirë, e cila siç duket nuk është treguar aspak mike me të. Kalvari i vuajtjeve do të fillonte që në kohën e diktaturës, peridhë në të cilët do të burgosej së bashku me të vëllanë, për të kaluar vite të tëra në burgjet famëkeqe të Enver Hoxhës. Por, edhe pluralizmi politikë nuk do të ishte më i mirë për familjen e tij. Ai na rrëfen se të njëjtën luftë ka patur edhe në vitet e demokracisë.

Kalvari i vuajtjeve të kësaj familjeje do të merrte një kthesë edhe më të dhimbshme shtatë vite më parë. Shtëpia e tyre do të përfshihej nga flakët, për të mos mbetur asgjë. Ymeri na rrëfen se nuk është afruar askush prej asaj dite, për t’a ndihmuar, qoftë edhe me një thes miell për të vegjëlit e tij.

73- vjeçari, i cili kaloi jetën e tij në burgjet e diktaturës, u detyruar të martohej shumë vonë. Sot, fëmija i tij më i rritur është 15 vjeç, kur në një gjendje normale mund të ishte ndoshta 40 apo 45 vjeç. Bukën e gojës arrin t’a nxjerr me vetëm 250 metër katror tokë, të cilën e punon së bashku me të shoqen. Gjithashtu, pak bagëti shtëpiake i japin një dorë për të mbijetuar dhe një pension prej vetëm 20 mijë lekësh të reja.

Njëri prej shtatë fëmijëve të tij, Beqiri, tashmë dhjetë vjeç, një ditë të zakonshme, në lojë më shokët, vrau syrin e djathtë, të cilin rrezikon t’a humbas. Shpresa e tij e vetme për të ndihmuar të birin për t’iu rikthyer jetës normale është tek bamirësit, të cilët mund të dhurojnë diçka për syrin e tij. Mjekimet kanë qenë të shtrenjta dhe tashmë janë të papërballueshme.

Gjashtë fëmijët e tjerë ndjekin studimet në shkollën 9- vjeçare në Prekal. Çdo mengjes, përgjatë vitit shkollor, ata i merr fugoni, të cilin në këtë rast e paguan shteti, por jo vetëm për fëmijët e Ymerit, por të gjithë zonës. Herë pas here ka patur probleme me pajisjen me libra, por dashamirësia e mësuesve dhe drejtorit të shkollës e ka lehtësuar dhimbjen e tij.

Ndërkohë, i pikëlluar deri në maksimum, Ymeri ka dëshirë që t’u bëjë apel të gjithë atyre që duan dhe kanë mundësi t’a ndihmojnë atë dhe djalin e tij. Sidomos këtë të fundit, në mënyrë që drita e syve të rikthehet sërish e plotë tek Beqiri.

Kushtet e kësaj familjeje nuk duan shumë koment për t’i përshkruar. Jetojnë mes katër mureve të ftohta, të cilat japin imazhin e një jete njerëzore që vetëm e tillë nuk mund të quhet. Stina e ftohtë vjen shpejt dhe sërish Ymeri do të zërë vrimat nëpër çati dhe mure me bar dhe çfarë të ketë mundësi. Pa shtrojë, pa ushqim, por vetëm me shpresë. Me shpresë se një ditë dikush do të trokas në derën e tij, për t’i dhënë ndihmën e pakushtëzuar, të cilën nuk e gjeti asnjëherë. Largohemi nga Ura e Shtrenjtë, duke lënë pas brengën e kësaj familjeje, të shoqëruar mes mrekullive të pamasë që nëna natyrë ka gdhendur mbi këtë vend zanash.

Related Post

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *