Kryetarja e KLGJ: Gjykata e Lartë do të jetë funksionale në shtator

Sot në komisionin e ligjeve ka qenë e pranishme për të raportuar, Kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor. Naureda Llagami. Ajo tha se Gjykata e Lartë do të jetë funksionale në shtator pasi kjo gjë tashmë është dhe prioriteti i institucionit të saj.

“Prioriteti ynë kanë qenë kandidatët që do të shkojnë në Gjykatën e Lartë, në mënyrë që kandidatët të kenë integritetin për të cilën bëmë edhe reformën në drejtësi. Nuk mund ta ulim nivelin, të lejojmë që të fusim në sistem njerëz të paverifikuar të cilët nuk kanë kaluar vetting-un”, tha Llagami.

Gjykata e Lartë ka që nga muaji maj i këtij viti që nuk është funksionale pasi ka mbetur vetëm me dy gjyqtarë. Raportohet se numri i dosjeve të pa shqyrtuara ka arritur në 32 mijë dhe gjykata ka marrë ambiente me qera për depozitimin e tyre.

Për sa i përket anëtarëve të Gjykatës së Lartë që do të vijnë nga jashtë sistemit gjyqësor, Llagami tha se është bërë shpallja dhe po bëhet procesi i verifikimit. “Në vjeshtë do të kemi emërimet e reja. Në shtator do të kemi Gjykatën e Lartë”, shtoi ajo.