”Nuk dal nga zyra deri në 13 Tetor”, Agron Kapllanaj tregohet i prerë: Çdo gjë doli sheshit!

Kryetari i Bashkisë së Mallakastrës Agron Kapllanaj në një intervistë në Faxnews është shprehur se ai do të qëndrojë në detyrë deri në 13 Tetor, datë kur është bërë dekretimi i zgjedhjeve lokale nga ana e presidentit Meta.

Kapllanaj u shpreh se në 30 Qershor nuk kishte zgjedhje, por vetëm votime, sa kohë që nuk kishte alternativa, dhe në zgjedhje dolën më pak se 20 % e qytetarëve të Mallakastrës.

Në një llogaritje të votave të marra nga socialistët në 30 Qershor, Kapllanaj tha se në krahasim me 2015-tën kur ai është zgjedhur, kandidati i PS ka marrë të paktën 2 mijë vota më pak se kundërshtari që Kapllanaj ka pasur 4 vite më parë.

“Ne nuk i njohim këto zgjedhje, nuk bëhet fjalë për një karrige kryetari, bëhet fjalë për të luftuar objektivat për një Shqipëri demokratike, ku të vendosin qytetarët, dhe ku vota të mos blihet, duke nxjerrë në fund një rezultat të manipuluar. Çdo gjë ka dalë në shesh nga përgjimet, edhe pse qytetarët edhe më parë e kishin kuptuar këtë. Ka tendenca për të bërë një parti shtet, të cilën e kemi refuzuar dhe rrëzuar njëherë në vitet ‘90”, u shpreh Kapllanaj.

Kryebashkiaku u shpreh më tej dhe në mbështetje të protestës së sotme të opozitës, duke thënë se çdo qytetar ka të drejtë që të protestojë kundër regjimit që drejton sot shtetin.