Pendarovski: Institucionet qeveritare po e lënë në baltë vendin

Presidenti i Maqedonisë së Veriut Stevo Pendarovski thotë se institucionet qeveritare po e lënë në baltë vendin në mënyrë drastike, saqë mund të minojnë perspektivat për hapjen e shumëpritur të bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian. “Ne kemi dekada – jo vite – por dekada keqfunksionimi të institucioneve, përfshirë institucionet politike,” i tha zoti Pendarovski Shërbimit Maqedonas të Zërit të Amerikës në një intervistë ekskluzive në Shkup të enjten.“Nuk flas këtu vetëm për sistemin gjyqësor,” tha ai, duke iu referuar një skandali zhvatjeje që ka tronditur qeverinë si dhe Zyrën e Prokurorisë Speciale, të krijuar në 2015 për të hetuar krimin e nivelit të lartë në vend. “Këto institucione jetike nuk po u shërbejnë njerëzve ashtu siç duhet,” tha Presidenti Pendarovski. “Ato nuk e luftojnë krimin dhe korrupsionin në nivelin që duhet ta bëjë një demokraci e pjekur.”