Politika shqiptare uron Pavarësinë e Kosovës

Politika shqiptare ka uruar këtë të shtunë 10 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, me anë të një mesazhi drejtuar homologut të tij kosovar, Hashim Thaçi, përcolli në emër të qytetarëve shqiptarë urimet më të ngrohta për këtë ditë.

I nderuar Zoti President,

Me rastin e 10-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, kam privilegjin dhe kënaqësinë e veçantë t’ju përcjell në emrin tim dhe të gjithë qytetarëve të Republikës së Shqipërisë, urimet më të ngrohta e vëllazërore.

Në këtë dekadë të parë si shtet i pavarur dhe sovran, ndajmë me ju krenarinë e përparimit të jashtëzakonshëm që Kosova ka bërë në të gjithë elementët shtetndërtues dhe të përfaqësimit të saj dinjitoz në botë.

Jam gjithashtu i entuziazmuar që marrëdhëniet tona vëllazërore dhe ndërshtetërore janë në nivelet më të larta të bashkëpunimit, dhe janë konsoliduar në shtratin e integrimeve europiane dhe euro-atlantike, përkrah partnerëve tanë strategjikë.

Kam bindjen e thellë se, vetëdija, pjekuria dhe përgjegjshmëria e lartë shtetërore që karakterizon institucionet dhe popullin e Kosovës do të mundësojnë një zhvillim edhe më të shpejtë e të shumëdëshiruar.

Ju siguroj se, unë si President i Republikës, por edhe të gjitha institucionet e Shqipërisë do të jemi gjithmonë mbështetës e përkrah në ndërmarrjet tuaja të guximshme që fuqizojnë institucionet, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Kosovë, që konsolidojnë harmoninë e bashkëjetesës gjithëpërfshirëse dhe që thellojnë bashkëpunimin ndërkombëtar të Kosovës me miqtë dhe organizatat shumëpalëshe.

Së bashku me urimet më të mira e vëllazërore, për konsolidimin, zhvillimin dhe përparimin e mëtejshëm të Kosovës, ju lutem pranoni, Zoti President, shprehjen e konsideratës sime më të lartë.”

Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, në një postim në rrjetet sociale shkruajti se “Festa e Kosovës është festë e mbarë kombit shqiptar”.

” Kosova 10!

Urimet më të përzemërta Kosovës dhe gjithë qytetarëve të saj në 10- Vjetorin e Pavarësisë! 17 shkurti i vitit 2008 i dha jetë dëshirës së hershme të popullit të Kosovës, ëndrrës së luftëtarëve e martirëve dhe jetësoi mbështetjen e miqve e partnerëve të shumtë të Kosovës për liri, mëvehtësi, përparim e begati.

Në vetëm një dekadë, Kosova është trasformuar rrënjësisht. Nga një entitet i nëpërkëmbur dhe me të drejta të shkelura sistematikisht në ish-Jugosllavi, ajo është kthyer sot në një hapësirë demokratike, multietnike dhe multikonfesionale, e cila aspiron drejt integrimit në hapësirën euro-atlantike.

Vetem në tre vitet e fundit, Kosova është anëtarësuar në një numër organizatash rajonale e ndërkombëtare, përfshi këtu pjesëmarrjen e saj me të drejta të plota në “MARRI”, në Fondin e Ballkanit Perendimor, në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, si vëzhguese në Nismën e Evropës Qendrore dhe si kontribuese e angazhuar në Zyrën Rajonale të Bashkëpunimit Rinor. Ne do të vazhdojmë perpjekjet tona për përfshirjen e Kosovës në të gjitha nismat rajonale e më gjerë, pasi përfshirja e saj është një garanci më shumë për sigurinë e stabilitetin rajonal.

Për momentin, Kosova, ashtu si i gjithë rajoni është përfshirë në një dinamike të re reformash të thella në drejtim të sundimit të ligjit, luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, avancimit të reformave në sektorin e shëndetësisë dhe arsimit, si dhe të zhvillimit ekonomik. Përgëzojmë Kosovën për përpjekjet e saj në drejtim të përafrimit e paqtimit të shoqërive e komuniteteve në rajonin tonë, në funksion të ndërtimit të një të ardhmeje në paqe e në siguri për qytetarët tanë.

Ndërsa sot përulemi të gjithë me nderimin më të thellë përpara përpjekjeve shumëvjeçare të popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi, vlerësojmë po ashtu, mbeshtetjen e çmuar e të vazhduar të miqve e aleatëve, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, NATO-s dhe të gjitha vendeve që kontribuan në mbylljen e një prej kapitujve më të dhimbshëm të historisë bashkëkohore evropiane.

Festa e Kosovës është festë e mbarë kombit shqiptar. Në këto 10 vite pavarësi, Shqipëria dhe Kosova kanë ndërtuar një marrëdhënie të ngushtë e vëllazërore partneriteti strategjik. Projektet tona konkrete për heqjen e barrierave ekonomiko-tregtare, krijimin e lehtësirave të qarkullimit të kapitalit, mallrave dhe njerëzve, si dhe promovimin e përbashkët të gjuhës dhe kulturës shqiptare në botë, janë udhëzues për dhjetëvjeçarët e ardhshëm, pjesë e projektit të përbashkët evropian. Gëzuar për jetë e mot Pavarësinë Kosovë!”

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në mesazhin e tij të urimit u shpreh besimplotë se Kosova ka përpara një të ardhme të ndritur, të përparuar dhe europiane.

“Gëzuar Pavarësinë, Kosovë! Gëzuar këtë ditë të madhe për të gjithë shqiptarët!

Sot, ne jemi të gjithë me mendje dhe me zemër në Kosovë. Përulemi para veprës së Ibrahim Rugovës, Adem Jasharit e mijëra bijave e bijëve të Kosovës dhe mbarë kombit që luftuan e sakrifikuan për këtë ditë të madhe. Sot kujtojmë me përmallim të gjithë të dashurit tanë që u ndanë nga ne me pengun se nuk e panë dot Kosovën të lirë.

Por mbi të gjitha, sot jemi krenarë për Kosovën. Jemi kryelartë para botës dhe kombeve se Kosova ka treguar cdo ditë në këta 10 vjet se pavarësia e saj ishte jo vetëm drejtësi njerëzore dhe historike, por edhe burim për paqen, zhvillimin dhe europianizimin e të gjithë Ballkanit. Jemi plot besim se Kosova ka përpara një të ardhme të ndritur, të përparuar dhe europiane. Sot, ne e dimë se e ardhmja e të gjithë shqiptarëve është e bekuar. Gëzuar Kosovë e shtrenjtë! Gëzuar shqiptarë kudo në botë!”

Në mesazhin e tij të urimit, ish-Kryeministri Sali Berisha thotë se  Pavarësia e Kosovës u bë e mundur sepse shqiptarët kudo në rajon dhe në botë qëndruan si një komb i vetëm dhe Shqipëria, pas shembjes se diktaturës hoxhiste, luajti rolin e saj të pazëvendësueshëm!”

“Gezuar Kosovë 10 vjetorin e Pavaresisë!

Të dashur miq, sot shqiptarët në Kosovë, trojet e tyre të tjera dhe në mbarë botën kudo që janë kremtojnë ditën më të rëndesishme të lirisë dhe ekzistencës së tyre pas pavarësisë së Shqipërisë, pavarësinë e Kosovës në 10 vjetorin e saj.

Ata sot festojnë 10 vitet e para në historinë e tyre shekullore të udhëtimit si një komb në liri. Kjo ditë nuk është pra vetëm 10 vjetori i pavarësisë dhe lirisë së Kosovës, por në fakt 10 vjetori i lirisë së shqiptarëve për aq sa shpirti dhe liria e një kombi janë një dhe të pandarë.

Sot shqiptarët në Kosovë dhe mbarë botën festojnë me krenari të ligjshme sukseset e mëdha që Kosova ka arritur në këto 10 vite pavarësi. Ajo sot është një faktor i rëndësishëm paqe dhe stabiliteti në rajon, ka ndërtuar dhe po konsolidon institucionet demokratike të shtetit ligjor dhe ka ndër standardet më të larta të garantimit të të drejtave dhe lirive të pakicave. Kosova, me reforma të thella e të gjithanshme ka zhvilluar këto vite një ekonomi vibrante, që sot ka rritjen më të lartë në rajon, ka shënuar rezultate dhe ka nxjerrë emra botëror në kulturë, muzikë, sport etj.

Ajo është njohur nga mbi 95 përqind e vendeve të lira dhe ecën me vendosmëri në rrugën e integrimit të saj në NATO dhe BE.

Pavarësia e Kosovës që u shpall 10 vjët më parë dhe çlirimi i saj, ishin kurorëzim i qendresës mbinjerëzore pothuaj një shekullore të shqiptarëve në Kosovë. Ajo i ka rrënjët e veta në gjakun dhe sakrificën sublime të qindra mijëra burrave dhe grave, djemve dhe vajzave martire të Kosovës që ranë për t’u bërë të pavdekshëm në luftrat tyre për liri dhe dinjitet kombëtar, që nga vitet 1870 në vitet 1999.

Pavarësia e Kosovës është triumfi epik i shpirtit të pamposhtur të burrave dhe grave të saj që i mbijetuan genocideve, shfarrosjeve dhe barbarive më të mëdha të serbëve, luftrave ballkanike që synonin mbi të gjitha zhdukjen e tyre, të zbatimit të platformës së Çubrilloviçit të spastrimit etnik të tyre në përfundim të Luftës së Dytë Botërore nga klika e Titos me ndihmën e Kalit të Trojës, lëvizjes jugosllave të klikës hoxhiste dhe tradhëtisë nga kjo e fundit e kauzës së saj, politikës së aparteidit dhe programeve shfarrosëse të Kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviçit.

Kosova u bë e pavarur sepse nuk u mposht kurrë!

Pavarësia e Kosovës është vepër e arkitektit të saj, politikanit gjeni të kombit shqiptar, Presidentit Ibrahim Rugova, Gandit të shqiptarëve, Ballkanit dhe Europës, që ndërtoi tek shqiptarët e Kosovës ëndrrën e pavarësisë, themeloi në kushtet e pushtimit më tv egër Republikën e Kosovës dhe pushtetin e saj paralel me pushtetin e pushtuesve mizorë. Presidenti Rugova mbrojti dhe paraqiti me vendosmëri dhe civilitet në Shtëpinë e Bardhë dhe kancelaritë më të mëdha të plantetit çështjen e drejtë të popullit të Kosovës. Ai arriti ta shndërrojë këtë kauzë në çështje kryesore të axhendës së SHBA dhe vendeve të lira perëndimore! Pas lufte, Kosova hodhi themelet e shtetit të sotëm të pavarur, demokratik, pro-perëndimor të Kosovës.

Pavarësia e Kosovës është vepër e komandantit legjendar Adem Jashari, heronjve të tjerë dhe dhjetëra mijëra luftëtarëve të lirisë, që me burrërinë, guximin, heroizmin, sakrificën e tyre bënë luftën e fundit çlirimtare në Europë dhe çliruan Kosovën!

Por pavarësia e Kosoves u bë e mundur sepse shqiptarët kudo në rajon dhe në botë qëndruan si një komb i vetëm, dhe Shqipëria, pas shembjes së diktaturës hoxhiste, luajti rolin e saj të pazëvendësueshëm!

Por sot shqiptarët në Kosovë dhe mbarë botën nuk do festonin këtë datë pa mbështetjen dhe rolin përcaktues të SHBA në Çlirimin dhe Pavarësinë e Kosovës, pa mbështetjen e Kongresit të këtij vendi dhe Presidentit Bill Klinton dhe Presidentit George W Bush, vendeve të mëdha të perëndimit dhe vendeve anëtare të NATO-s.

Të dashur miq, duke uruar nga zemra në këtë 10 vjetor të Pavarësisë, Kosovën, qytetarët e saj dhe mbarë shqiptarët, le të perulemi ne me nderimin më të madh dhe mirënjohjen më të thelle para burrave të mëdhenj të kombit tonë, arkitektit të pavarësisë së Kosovës, presidentit Ibrahim Rugova, komandantit legjendar Adem Jashari, para të gjithë atyre që luftuan, flijuan jetën dhe rininë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, para SHBA dhe të vendeve tjera anëtare të NATO-s, që me ndërhyrjen e tyre luajtën rol përcaktues në çlirimin e saj. Gëzuar! Zoti e bekoftë Kosovën, Zoti i bekoftë shqiptarët!! sb”

Ish-Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, në mesazhin e tij shkruan: “Gëzuar 10-të vjetorin e Pavarësisë Kosovë! Sakrificat ndër shekuj të martirëve dhe heronjve të Tu, nuk shkuan dëm.”

Edhe Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj uroi Kosovën për këtë ditë të shënuar.

Në një video të postuar në faqen e tij zyrtare në Facebook, Kryebashkiaku shprehet: “Përshëndetje të gjithëve nga Tirana. Sot është një ditë fantastike për t’ju uruar të gjithë vëllezërve tanë në Kosovë gëzuar 10-vjetorin e pavarësisë”.

“Ky ka qenë një rrugëtim i jashtëzakonshëm. Të mendosh gjithë atë përpjekje, për luftën, për fitoren e luftës dhe pastaj për të fituar paqen, ajo që është arritur në Kosovë është e mrekullueshme. Unë e di që ne të gjithë jemi kritikë, të gjithë jemi cinikë, të gjithë jemi skeptikë, gjithmonë mundohemi të gjejmë diçka që nuk shkon, por le t’i shikojmë 10 vjet dhe atë që është arritur”, shprehet Kryetari i Bashkisë së Tiranës, duke shtuar:

“Unë kam qenë i impresionuar që nga dita e parë, kur kam ardhur të punoj në Kosovë fill pas luftës, dhe sa është transformuar vendi, çfarë rinie progresiste ka Kosova, çfarë inovacioni bëhet në Kosovë, sa krenarë kemi qenë sa herë është ngritur flamuri i shtetit të ri të Kosovës me sportistët dhe me të gjithë arritjet e të rinjve kosovarë”.

“Unë besoj që në total ka më shumë gjëra që na bashkojnë dhe ka më shumë rezultate pozitive sesa problematika. Për të gjitha ato gjëra që nuk shkojnë, ndoshta ka ardhur koha të mobilizohemi, jo vetëm të kritikojmë, por të shikojmë çfarë mund të bëjë secili prej nesh, në qytetet tona, në lagjet tona, në komunitetin tonë”.

Kreu i Bashkisë së Tiranës thekson në mesazhin e tij se Shqipëria dhe Kosova e kanë të ardhmen përpara. “Unë besoj që kjo është një ditë për të reflektuar se sa kemi arritur, por ama edhe për të hapur imagjinatën tonë se sa larg mund të shkojmë. Shqipëria dhe Kosova e kanë të ardhmen përpara, ditët më të mira janë përpara nesh, kur ne bashkëpunojmë për të punuar për vendin tonë. Ju uroj të gjithëve gëzuar 10-vjetorin e pavarësisë. Urime dhe shumë dashuri e përqafime nga Tirana.”

, , , , , , ,