Rama takim me operatorët turistikë në Berat

Teksa në Tiranë ka nisur zyrtarisht protesta e opozitës, pasi Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi kanë lënë selitë e tyre njëkohësisht për të marshuar, drejt Kryeministrisë, Edi Rama ka qenë në transmetim live nga Berati.

 

Në takimin me operatorët turistikë të qarkut, shefi i qeverisë ka folur vetëm për turizmin dhe ngritjen e bujtinave në kuadër të programit “100 Fshatrat”. Rama ka folur edhe për shpëtimin e banesave karakteristike në këtë zonë të mbrojtur.

 

“Parafytyroni çfarë do kishin bërë fqinjët nëse do kishin Beratin dhe Gjirokastrën, më tregoni një rast të vetëm, në Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi, Greqi, Bosnjë po të doni, që ka pasur dhe luftë, që një pasuri e tillë të jetë lënë me vite të tëra si u la Berati dhe Gjirokastra. Më tregoni një rast të vetëm, e të gjesh njerëz të varfër, familje që jetojnë falë emigracionit të fëmijëve të tyre, nuk ekzistojnë, e kam thënë atëherë e sot e rithem. Sot ka filluar kthesa”, tha Rama, duke pranuar se situata nuk ka krahasim me atë që ishte 4 vite më pare.

 

Kryeministri për asnjë moment nuk ka përmendur tubimin e opozitës, por çuditërisht ka folur për rakinë dhe verën, duke theksuar se qeveria do ndërtojë dy muze modernë në Korçë dhe Berat, duke kopjuar stilin japonez.

 

“Në Korçë do ndërtojmë muzeun kombëtar të rakisë. Do jetë një muze aktiv, njerëzit do vijnë, do shohin, do pinë, do dalin. Jemi duke diskutuar të mbledhim këtë konkurrentët e verës dhe të diskutojmë që të ndërtojmë një muze të verës shqiptare në Berat. Turistëve t’i tregojmë çfarë duhet, kush është pija tradicionale shqiptare. Siç kanë muzeun e çajit në Japoni që është një nga më të bukurit në botë ku qajnë, shprehin ngushëllime, gëzojnë dhe martohen”, theksoi shefi i qeverisë.