Raporti Vjetor i BSH, Guvernatori Sejko: Rritja ekonomike u përshpejtua në 4.1%

Guvernatori Gent Sejko ka prezantuar sot në Kuvend, Raportin Vjetor të Bankës së Shqipërisë për vitin 2018.

Gvernatori Sejko gjatë fjalës së tij tha se rritja ekonomike u përshpejtua në 4.1% gjatë vitit 2018, dhe se norma e papunësisë në fund të vitit u ul në nivelin 12.3%, nga 13.4% një vit më parë.

Ai deklaroi se deficiti buxhetor dhe borxhi publik vijuan të shënojnë një tendencë rënëse, duke pasqyruar si kursin konsolidues të politikës fiskale, ashtu dhe rritjen ekonomike e forcimin e kursit të këmbimit.

Më tej shtoi se perspektivat e zhvillimit të vendit mbeten pozitive, por sfidat nuk mungojnë.sejko-1-765×383

“Adresimi i tyre kërkon vëmendjen dhe angazhimin e të gjithë politikëbërësve dhe agjencive rregullatore në vend”, tha Sejko.

“Politika monetare stimuluese e ndjekur nga Banka e Shqipërisë ka rezultuar e suksesshme në nxitjen e rritjes ekonomike, në shfrytëzimin më të mirë të kapaciteteve prodhuese dhe në rritjen e presioneve inflacioniste në ekonomi. Përcjellja e stimulit monetar vërehet në disa drejtime.

Së pari, stimuli monetar ka ndihmuar zgjerimin e konsumit dhe të investimeve private, nëpërmjet uljes së kostove të financimit dhe nxitjes së kreditimit. Kredia në lekë për sektorin privat u rrit mesatarisht me 6.7% gjatë vitit 2018”, u shpreh Guvernatoir.

Më tej ai shtoi se “politika monetare lehtësuese ka sjellë uljen e kostos së shërbimit të borxhit ekzistues, duke lehtësuar bilancet e bizneseve dhe familjeve kredimarrëse dhe duke inkurajuar më tej zgjerimin e kërkesës agregate.
Së treti, politika monetare lehtësuese ka mbështetur stabilitetin financiar të vendit, nëpërmjet përmirësimit të aftësisë paguese të sektorit privat dhe inkurajimit të ristrukturimit të kredive”.

FJALA E PLOTE E SEJKOS:
Banka e Shqipërisë i kushton një vëmendje të veçantë ndërtimit të marrëdhënieve institucionale me Kuvendin e Shqipërisë, të bazuara në frymën e llogaridhënies dhe të transparencës, si dhe të ushqyera nga dialogu i vazhdueshëm e reciprok.

Për këtë arsye, ju falënderoj për ftesën dhe mundësinë që më jepni për t’i prezantuar Kuvendit, në seancë plenare, konkluzionet kryesore të Raportit tonë Vjetor për vitin 2018.

Më lejoni të theksoj që në fillim se Banka e Shqipërisë ka shënuar progres në përmbushjen e të tre premisave kryesore ku bazohet puna jonë:

në objektivat dhe detyrat institucionale, të përcaktuara në kuadrin ligjor dhe nënligjor;
në objektivat tanë të brendshëm, të përcaktuar në Strategjinë Afatmesme të Zhvillimit; dhe,
në rekomandimet e dhëna nga Kuvendi, në Rezolutën “Për vlerësimin e veprimtarisë së Bankës së Shqipërisë për vitin 2017”.
Banka e Shqipërisë vlerëson se viti 2018 ishte një vit progresi për ekonominë dhe sistemin financiar shqiptar. Aktiviteti ekonomik dhe punësimi vijuan të zgjerohen, pagat dhe presionet e brendshme inflacioniste erdhën në rritje, treguesit kryesorë të shëndetit të sektorit bankar shënuan përmirësim, dhe një sërë treguesish të balancave të brendshme dhe të jashtme ekonomike erdhën drejt forcimit.

Më lejoni t’ju paraqes disa tregues për ilustrim.

Sipas të dhënave të INSTAT-it, ritmi i rritjes ekonomike u përshpejtua në 4.1% gjatë vitit 2018. Rritja ekonomike pati bazë të gjerë. Ajo pasqyroi kontribute pozitive nga zgjerimi i konsumit familjar, investimeve të biznesit dhe eksporteve.
Po sipas të dhënave të INSTAT-it, punësimi në ekonomi u rrit me 1.6% gjatë vitit të shkuar, ndërsa norma e papunësisë në fund të vitit u ul në nivelin 12.3%, nga 13.4% një vit më parë.
Pozicioni i jashtëm i ekonomisë u përmirësua: deficiti i llogarisë korrente zbriti në 6.7% të PBB-së gjatë vitit 2018, ndërsa treguesit e qëndrueshmërisë së borxhit të jashtëm u forcuan.
Deficiti buxhetor dhe borxhi publik vijuan të shënojnë një tendencë rënëse, duke pasqyruar si kursin konsolidues të politikës fiskale, ashtu dhe rritjen ekonomike e forcimin e kursit të këmbimit.
Së fundi, treguesit kryesorë të shëndetit të sektorit bankar, e në veçanti ai i likuiditetit, i përfitueshmërisë dhe i kapitalizimit, mbetën në nivele të kënaqshme.
Kjo dinamikë zhvillimesh pasqyron, në një masë jo të vogël, efektin e politikave, masave dhe instrumenteve, të adoptuara në vazhdimësi nga Banka e Shqipërisë. Në vijim të fjalës time do të ndalem më në detaje në masat e marra nga Banka e Shqipërisë në drejtim të politikës monetare, të rregullimit e të mbikëqyrjes bankare, si dhe të zhvillimit të tregut financiar.

Politika monetare gjatë vitit 2018
Në përputhje me objektivin e saj primar: arritjen edhe ruajtjen e stabilitetit të çmimeve, – politika jonë monetare ka ruajtur, e madje forcuar, kahun e saj stimulues gjatë vitit 2018. Ky qëndrim është konsistent me pozicionin ciklik të ekonomisë dhe i harmonizuar me kahun konsolidues të politikës fiskale.

Me gjithë ecurinë pozitive të ekonomisë, inflacioni i vitit 2018 rezultoi mesatarisht 2.0%, duke mbetur në nivel të njëjtë me vitin paraardhës dhe poshtë objektivit tonë prej 3%. Ecuria e inflacionit pasqyroi veprimin e dy efekteve me kahe të kundërta: rritja e presioneve të brendshme inflacioniste, e gjeneruar nga rritja e punësimit, pagave dhe kostove të prodhimit, u neutralizua nga mbiçmimi i shpejtë i monedhës vendase.

Përtej faktorëve fondamentalë, ky mbiçmim pasqyroi efektin e goditjeve specifike, të cilat sollën zhbalancimin e përkohshëm të kërkesës dhe ofertës për valutë, dhe ndikuan në ndryshimin e sjelljes së disa operatorëve të ekonomisë. Ato iniciuan një spirale të shpejtë forcimi të kursit të këmbimit të lekut në tremujorin e dytë dhe u shoqëruan me çrregullim të funksionimit të tregut të brendshëm valutor.

Në këto rrethana, Këshilli Mbikëqyrës gjykoi se ritmi i shpejtë i forcimit të kursit rrezikonte përmbushjen e objektivit të inflacionit në afatin e mesëm. Rrjedhimisht, në përputhje të plotë me objektivin e stabilitetit të çmimeve dhe pa cenuar regjimin e lirë të kursit të këmbimit, në muajin qershor, Këshilli vendosi:

reduktimin e normës bazë të interesit, nga niveli 1.25% në nivelin 1.00%, duke synuar lehtësimin e mëtejshëm të kushteve monetare në ekonomi; dhe,
fillimin e një programi blerjesh valute, me synim frenimin e ritmit të forcimit të kursit të këmbimit dhe krijimin e premisave për një aktivitet normal tregtimi në tregun e brendshëm valutor. Ky program, i përqendruar në periudhën e verës, ishte një instrument i përkohshëm dhe i jashtëzakonshëm i politikës monetare. Me përmbushjen e objektivave, Banka e Shqipërisë nuk ka ndërhyrë më në treg dhe qëndrueshmëria e kursit të këmbimit ka pasqyruar ekuilibrin e tregut.
Politika monetare stimuluese e ndjekur nga Banka e Shqipërisë ka rezultuar e suksesshme në nxitjen e rritjes ekonomike, në shfrytëzimin më të mirë të kapaciteteve prodhuese dhe në rritjen e presioneve inflacioniste në ekonomi. Përcjellja e stimulit monetar vërehet në disa drejtime.

Së pari, stimuli monetar ka ndihmuar zgjerimin e konsumit dhe të investimeve private, nëpërmjet uljes së kostove të financimit dhe nxitjes së kreditimit. Kredia në lekë për sektorin privat u rrit mesatarisht me 6.7% gjatë vitit 2018.
Së dyti, politika monetare lehtësuese ka sjellë uljen e kostos së shërbimit të borxhit ekzistues, duke lehtësuar bilancet e bizneseve dhe familjeve kredimarrëse dhe duke inkurajuar më tej zgjerimin e kërkesës agregate.
Së treti, politika monetare lehtësuese ka mbështetur stabilitetin financiar të vendit, nëpërmjet përmirësimit të aftësisë paguese të sektorit privat dhe inkurajimit të ristrukturimit të kredive.
Në këtë mënyrë, masat e politikës monetare të ndërmarra nga Banka e Shqipërisë kanë kontribuuar në nxitjen e rritjes ekonomike. Vlerësimet tona sugjerojnë se politika monetare lehtësuese ka kontribuar pozitivisht, mesatarisht me 0.5 pikë përqindje, në rritjen ekonomike të dy viteve të fundit. Gjithashtu, kursi stimulues i politikës monetare ka kontribuar në qëndrueshmërinë e monedhës vendase. Të dy këto kanale transmetimi, kanë ndihmuar e do të vijojnë të ndihmojnë stabilitetin e çmimeve në vend.

Mbikëqyrja bankare dhe stabiliteti financiar

Veprimtaria e sektorit bankar gjatë vitit 2018 u paraqit e qëndrueshme dhe me tregues të mirë të performancës dhe të rezistencës financiare. Rezultati financiar i sistemit ishte pozitiv: norma e kthimit nga aktivet (RoA) rezultoi në nivelin 1.3% dhe norma e kthimit nga kapitali (RoE) arriti në nivelin 13%. Po ashtu, nivelet e kapitalizimit dhe të likuiditetit rezultuan mbi kërkesat rregullatore përkatëse.

Banka e Shqipërisë vlerëson se aftësia e sektorit bankar për të përballuar rreziqet është e lartë. Rreziku i kredisë vijon të përfaqësojë rrezikun kryesor të aktivitetit të sektorit bankar, por cilësia e kredisë është rritur në krahasim me një vit më parë. Në fund të vitit 2018, raporti i kredive me probleme shënoi 11.1% nga 13.2% një vit më parë, ndërkohë që teprica e kredive me probleme u zvogëlua me 20%.

Gjatë vitit 2018 kanë ndodhur disa ndryshime strukturore të pronësisë në sistemin bankar, të cilat e çuan numrin e bankave në sistem në 14 në fund të vitit. Duke faktorizuar dhe ndryshimet e pronësisë të ndodhura në vitin 2019, ky numër është aktualisht 12. Banka e Shqipërisë vlerëson se konsolidimi i sistemit bankar është një zhvillim i mirëpritur, i cili do të sjellë gjallërimin e aktivitetit, do të rrisë eficiencën e industrisë bankare, si dhe do të mbështesë politika zhvilluese dhe inovative kreditimi e pagesash.

Drejtimet kryesore të punës për ruajtjen e stabilitetit financiar kanë qenë: forcimi i qëndrueshmërisë së sistemit bankar, rritja e rezistencës së tij në përballimin e goditjeve, si dhe adoptimi i standardeve ndërkombëtare në fushën e mbikëqyrjes dhe rregullimit. Më konkretisht:

Banka e Shqipërisë ka punuar për përmbushjen e detyrimeve të saj në kuadër të planit kombëtar për reduktimin e kredive me probleme. Në funksion të këtij qëllimi, ne: (i) kemi hartuar projektrregulloren për adresimin jashtëgjyqësor të kredimarrësve; (ii) kemi shtrirë kërkesat për përdorimin e pasqyrave financiare zyrtare në vlerësimin e rrezikut të kredisë për të gjitha kategoritë e huamarrësve; (iii) kemi marrë masa për përmirësimin e Regjistrit të Kredive; si dhe, (iv) kemi nisur punën për harmonizimin e raportimit të kredive në përputhje me standardet ndërkombëtare.
Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë masa konkrete për inkurajimin e përdorimit të monedhës kombëtare në sistemin tonë financiar, si dhe ka vijuar punën për zhvillimin e instrumenteve të politikës makro-prudenciale dhe për ndërtimin e sistemeve të paralajmërimit të hershëm të rreziqeve sistemike.
Një vëmendje të madhe ka marrë mbikëqyrja e zbatimit të masave për parandalimin e pastrimit të parave, e kryer në bashkëpunim me DPPPP. Në raportin përfundimtar të vlerësimit të Komitetit të Ekspertëve për Vlerësimin e Masave kundër Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit (MONEYVAL), subjektet financiare u vlerësuan në nivelin “substantial” (i konsiderueshëm) të efektivitetit. Veçanërisht, bankat paraqesin një njohje të mirë të detyrimeve të tyre ligjore dhe të rreziqeve, si dhe kanë marrë përgjithësisht masat e duhura, në raport të drejtë me nivelin e rrezikut. Procesi i vlerësimit u shoqërua me një plan masash për adresimin e problematikave kryesore, përmbushja e të cilave do të vijojë dhe gjatë vitit 2019.
Në cilësinë e Autoritetit të Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme, gjatë vitit 2018, Banka e Shqipërisë ka hartuar kuadrin rregullator dhe procedural për planifikimin e ndërhyrjes së jashtëzakonshme, si dhe ka filluar hartimin e planeve individuale të ndërhyrjes. Gjithashtu, gjatë vitit 2018, është themeluar Fondi i Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme dhe është ngritur procedura për administrimin e tij.
Në mbyllje, gjej me vend të theksoj dhe një herë se ruajtja e stabilitetit financiar është detyrë e përgjegjësi jo vetëm e Bankës së Shqipërisë, por edhe e agjencive të tjera rregullatore dhe e qeverisë shqiptare. Politikat dhe masat për ruajtjen e stabilitetit financiar dhe forcimin e rezistencës së sistemit bankar, kërkojnë vijimin e përpjekjeve të koordinuara, ndërinstitucionale dhe multidimensionale.

Përmirësimi i tregjeve financiare dhe sistemeve të pagesave
Në përmbushje të detyrave dhe angazhimeve të saj, Banka e Shqipërisë ka vijuar punën për nxitjen e zhvillimit të tregut financiar dhe për përmirësimin e mëtejshëm të sistemit të pagesave.

Më konkretisht, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, ka vijuar me sukses projekti për nxitjen e përmirësimit të tregut primar dhe sekondar të letrave me vlerë të qeverisë. Ky projekt synon t’i hapë rrugë thellimit të tregut financiar, zgjerimit dhe diversifikimit të bazës së investitorëve në borxhin qeveritar, si dhe uljes së kostos së tij në afatin e gjatë.

Po ashtu, Banka e Shqipërisë i ka kushtuar vëmendje të veçantë garantimit të sigurisë dhe efikasitetit të infrastrukturës bazë të pagesave në lekë, si nëpërmjet rolit të saj si operator i sistemit, ashtu edhe nëpërmjet rolit si mbikëqyrës dhe katalizator. Një nga arritjet kryesore në drejtim të përmirësimit të kuadrit ligjor është finalizimi i projektligjit “Për shërbimet e pagesave”, i cili realizon transpozimin e direktivës përkatëse të Bashkimit Evropian (PSD2). Miratimi dhe zbatimi i tij pritet të nxisë konkurrencën dhe inovacionin në fushën e pagesave me vlerë të vogël, të ulë kostot, të rrisë transparencën e këtyre shërbimeve, si dhe të ofrojë një kuadër për mbrojtjen e konsumatorit.

Paralelisht me të, Komiteti Kombëtar i Sistemit të Pagesave, i cili kryesohet nga Banka e Shqipërisë dhe mbledh aktorë publikë e privatë me interesa në fushën e pagesave, miratoi Strategjinë Kombëtare për Pagesat me Vlerë të Vogël në Shqipëri për periudhën 2018-2023. Qëllimi i strategjisë është përmirësimi i tregut të pagesave me vlerë të vogël, nxitja e përdorimit të instrumenteve elektronike të pagesave dhe zgjerimi i përfshirjes financiare të popullsisë.

Qeverisja e institucionit dhe aktivitete të tjera
Përmbushja e objektivave tanë kryesorë të zhvillimit është dëshmi e punës profesionale të stafit të Bankës së Shqipërisë dhe e kujdesit të vazhdueshëm të Këshillit Mbikëqyrës, si organ drejtues dhe kontrollues i aktivitetit të Bankës.

Përtej politikës monetare dhe çështjeve të lidhura me stabilitetin financiar, vendime të tjera të rëndësishme të Këshillit Mbikëqyrës gjatë vitit 2018 ishin dhe: (i) miratimi i politikës së mbikëqyrjes së sistemeve të pagesave dhe të shlyerjes; (ii) miratimi i Politikave Kontabël sipas Standardeve Ndërkombëtare të Raportimit Financiar; dhe (iii) miratimi i Strategjisë Afatmesme të Zhvillimit të Bankës së Shqipërisë për periudhën 2019-2021. Strategjia ruajti të pandryshuar misionin, vizionin dhe vlerat e Bankës së Shqipërisë, por rifreskoi listën e detyrave për përmbushjen e tyre. Paralelisht me to, Këshilli Mbikëqyrës ka mbajtur në monitorim qeverisjen e institucionit dhe ka punuar për përmirësimin e saj.

Në përfundim, gjej me vend të theksoj se Banka e Shqipërisë ka përmbushur detyrat e angazhimet dhe në fushat e tjera të aktivitetit të saj, të cilat prekin direkt apo indirekt jetën ekonomike dhe financiare të vendit. Më konkretisht, progres është shënuar në:

mbështetjen e proceseve të integrimit evropian, si nëpërmjet kontributit specifik në kapitujt përkatës, ashtu dhe nëpërmjet dialogut të vazhdueshëm më partnerët evropianë;
administrimin e qarkullimit të monedhës kombëtare dhe përshtatjen e strukturës së saj me nevojat e ekonomisë;
administrimin e rezervës valutore, në përputhje me objektivat e mbajtjes së rezervës dhe në prani të një ambienti të huaj financiar sfidues;
përmirësimin e kërkimit shkencor, në mbështetje të një vendimmarrjeje sa më të informuar dhe sa më eficiente;
përmirësimin sasior e cilësor të statistikave financiare, në përputhje me standardet më të mira të fushës;
vijimin e edukimit financiar të publikut, nëpërmjet rritjes së rolit të Muzeut të Bankës së Shqipërisë dhe vijimit të programeve të shënjestruara edukative;
rritjes së transparencës institucionale, nëpërmjet zgjerimit të gamës së informacionit të publikuar dhe në interes të përmirësimit të besueshmërisë dhe reputacionit të institucionit.
***

Perspektivat e zhvillimit të vendit mbeten pozitive, por sfidat që kemi përpara nuk mungojnë. Adresimi i tyre kërkon vëmendjen dhe angazhimin e të gjithë politikëbërësve dhe agjencive rregullatore në vend.

Në veçanti, në opinionin e Bankës së Shqipërisë, garantimi i rritjes së qëndrueshme dhe afatgjatë kërkon ruajtjen e fokusit mbi politika monetare dhe fiskale të orientuara drejt stabilitetit, duke përdorur në mënyrë të zgjuar dhe eficiente hapësirat e disponueshme për stimulimin e ekonomisë, pa cenuar qëndrueshmërinë e financave publike dhe atë të sektorit financiar. Paralelisht me to, politikat zhvillimore të vendit duhet të kujdesen për uljen e rreziqeve, si dhe për zbutjen e dobësive strukturore të ekonomisë.

Në afatin e gjatë, përshpejtimi i mëtejshëm i ritmit të rritjes ekonomike dhe shpërndarja sa më e drejtë e fryteve të saj në kategori të ndryshme ekonomike e sociale, do të kërkojë vazhdimin dhe përshpejtimin e axhendës së reformave strukturore.

Në çdo rast, dua t’ju siguroj se Banka e Shqipërisë do të vijojë të mbetet e përkushtuar për respektimin e objektivave të saj ligjorë, si dhe për zbatimin e detyrave dhe angazhimeve tona institucionale.