Reali, 50 milionë euro për Van De Beek

Në vështirësi për të arritur transferimin e francezit Pogba, objektivi numër 1 i Zinedine Zidane, Reali i Madridit synon të forcojë mesin e fushës me talentin e Ajax Donny Van De Beek.

Për 22-vjeçarin holandez, “Blancos” janë gati të paguajnë deri në 50 milionë euro. Distanca nga oferta te kërkesa e holandezëve është 15 milionë euro, megjithatë marrëveshja duket e arritshme.

Pasi shkëlqyen në Champions League, të gjitha skuadrat më në zë të Europës kanë “hedhur grepat” tashmë për të transferuar yjet holandezë të ekipit.

De Jong ishte i pari që zyrtarizoi transferimin te Barcelona, ndërsa mbrojtësi De Ligt duket se është pranë Juventusit, pas shumë zërave që e lidhnin fillimisht edhe atë me Barçën.