Rrihte gruan dhe vajzën. Autori i vrasjes në Vlorë ishte dënuar edhe në 2017

Ditën e djeshme në Vlorë ndodhi krimi makabër, ku burri vrau gruan me thikë. Ndërkohë që ceremonia mortore do të bëhet në fshatin e saj të lindjes në Tragjas, 57-vjeçari qëndron i izoluar në ambientet e Spitalit të Vlorës, nën kujdesin e mjekëve dhe në ruajtjen e policisë.

 

 

Në katin e parë të pallatit kanë mbetur vetëm gjurmët e gjakut. Teodor Lera si fillim është përpjekur ta mbytë në gjumë bashkëshorten e tij rreth orës 4 të mëngjesit. Ekspertiza ka zbuluar hematoma në pjesën e qafës dhe një plagë thike në trup. Pasi e ka kryer krimin, 57-vjeçari është përpjekur të varë veten me çarçafë por nuk ia ka dalë, ndaj ka tentuar të presë damarët e duarve dhe tendinën në njërën këmbë.

 

 

Edhe pse i dënuar disa muaj në vitin 2017 për dhunë në familje jo vetëm ndaj Etlevës, por edhe ndaj së bijës, fqinjët ende nuk e besojnë se si e vrau të shoqen

 

 

“Ajo ishte grua model. Ishte punëtore dhe e mirë. Ai e kishte dhunuar një herë, por… Jemi habitur. Ishte njeri i mrekullueshëm ai”, thonë banorët.

 

 

Në vendimin e gjykatës thuhet se shkak për dhunën fizike deri në përdorimin e mjeteve të forta ishte sjellja e saj bashkëshortore me dyshimet që e shtynin Teodor Lerën t’i kërkonte asaj të transferoheshin në Tiranë gjë që ishte refuzuar. Ekspertiza mjeko-ligjore gjeti se dëmtimet që kishin në trup Etleva dhe e bija që kishte ndërhyrë për t’i ndarë përfshihen në kategorinë e atyre që sjellin humbjen e aftësisë së përkohshme për punë në masën deri 9 ditë.