Slavia Prague bën mrekullinë, kualifikohet Arsenali, eliminohet Interi

Edhe sezoni 2018-2019 mbyllet pa asnjë trofe për Interin që u eliminua nga Eintracht i Frankfurtit në raundin e 1/8-ave të Europa League.

 

Ky kompeticion ishte mundësia e vetme që zikaltrit të fitonin një trofe, që u mungon që nga viti 2011, kur kanë fituar për herë të fundit Kupën e Italisë.

 

Interi me shumë mungesa, që mezi formonte një 11-she me lojtarët e skuadrës së parë, ia dhuroi vetë kualifikimin gjermanëve, të cilët ruajtën nderin e Bundesligës, pasi Frankfurti është skuadra e vetme gjermane që vazhdon rrugëtimin në Europë.

 

Një gol i Luka Jovic pas vetëm 5 minutash, që erdhi si rrjedhojë e një gafe të Stefan De Vrij, mjaftoi që skuadra e Adi Hutter të mposhtte 0-1 Interin në “San Siro” dhe ta eliminonte nga Europa League.

 

Ndryshe nga Interi përmbushi të gjitha pritshmëritë Arsenali që përmbysi humbjen 3-1 të sfidës së parë ndaj Rennes duke fituar 3-0 në “Emirates Stadium” falë dygolëshit të Aubameyang dhe finalizimit të Maitland-Niles.

 

U kualifikua lehtësisht Villareali që mposhti edhe në ndeshjen e kthimit Zenitin këtë herë me rezultatin 2-1. Moreno dhe Bacca ishin autorët e golave për spanjollët ndërkohë që për Zenitin ngushtoi shifrat në fund mbrojtësi serb Ivanovic.

 

Surprizën e vërtetë e bëri Sllavia Prague, që eliminoi nga kompeticioni spanjollët e Sevillas. Pas 90 minutash në barazim 2-2, ndeshja shkoi në shtesë, ku fillimisht Sevilla kaloi në avantazh, por çekët bënë mrekullinë, duke shënuar dy herë të tjera.

 

Vetëm pas 30 minutave shtesë u kualifikua edhe Benfica, që mposhti Dinamon e Zagrebit me rezultatin final 3-0, duke zhvlerësuar humbjen në Kroaci dy javë më parë.