Thaçi në Bruksel: Liberalizimi i vizave, i vonuar

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi takoi sot në Bruksel, presidentin e Këshillit Evropian, Donald Tusk dhe komisionerin e BE për zgjerimin, Johanes Hahn.

Në një komunikatë për media, lëshuar nga Presidenca e Kosovës, citohet presidenti Thaçi të ketë thënë në këto takime se, pas plotësimit të të gjitha kritereve, “shtyrja e vendimit për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës është i pakuptimtë dhe i papranueshëm, pavarësisht arsyetimeve të vazhdueshme nga BE-ja dhe shtetet anëtare”.

Thaçi tha se Brukseli dhe Perëndimi janë orientimi i vetëm strategjik i Republikës së Kosovës. Sipas tij, rajoni po vazhdon të jetë në një status-quo të vështirë, e cila, siç tha, i ngadalëson shumë procese.

“Zgjidhja e të gjitha mosmarrëveshjeve ndërmjet shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe një qartësi, dinamikë dhe zotim më i madh i BE-së për perspektivën e vendeve të Ballkanit Perëndimor, janë përgjigjja më e mirë ndaj këtij stanjacioni”, u shpreh Thaçi.

Procesi i liberalizimit të vizave midis Kosovës dhe Bashkimit Evropian ka nisur qysh në vitin 2012. BE-ja i ka vënë Kosovës si detyrë të plotësojë 95 kritere për të marrë rekomandimin pozitiv për liberalizim të vizave nga Komisioni Evropian.

Ndërsa qeveria e Kosovës thotë se këto kritere tashmë janë plotësuar, brukseli duket se nuk po e përfshin në agjendë këtë çështje.

Ndërkohë, komisioneri për zgjerimin, Johanes Hahn, ka nënvizuar se është e rëndësishme që të rifillojë dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, duke shkruar në një postim në Twitter pas takimit se ka përsëritur pozicionin e BE se tarifa ndaj produkteve serbe, duhet të paktën të pezullohet.