Turma rrethon kryeministrinë, protestuesit heqin gardhin me tela

Protesta e sotme me sa duket do jetë një marshim. Ndryshe nga sa pritej turma është ftuar për të marshuar rreth e rreth Kryeministrisë si simbolikë për rrethimin e qeverisë nga qytetarët. Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ndodhet në krye të protestuesve që kanë marshuar nga Bulevardi, mes Kryeministrisë dhe Hotel Rognerit, nga INIMA, pas Kryeministrisë dhe në Unazë.

 

Ashtu siç kishte paralajmëruar, opozita e bashkuar nisi protestën para godinës së Kryeministrisë në orën 11:00. Kjo është protesta e pestë nga 16 shkurti por e dyta para kryeministrisë.

 

Opozita akuzon qeverinë për lidhje me krimin, blerjen e votave dhe kërkon qeveri tranzitore pa Edi Ramën kryeministër. Gjithashtu opozita kërkon mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme. Opozita e bashkuar vendosi të djegë mandatet e deputetit dhe thotë se nuk do ndalet deri në largimin e Edi Ramës.

 

Planet e masave të marra nga policia për sot janë të njëjta me ato të protestës së 16 shkurtit, ndërsa ka refuzuar kërkesën e PD për të protestuar për 48 orë dhe ka dhenë leje deri në mesnatë. Ashtu si në 16 shkurt, PD kërkonte që leja për tubim që nistë në orën 11:00, por të ishte pa një afat mbarimi të përcaktuar. Policia e ka refuzuar lejen me argumentin se duhet përcaktuar orari i mbylljes së tubimit.

 

Në terren jane angazhohuar 1600 efektivë. Për të shmangur dëmtimin e godinës së Kryeministrisë si dhe hyrjen e protestuesve brenda, godina është veshur me llamarina në ambientet e jashtme.

Protestuesit rrëzojnë rrethimin me tela

 

Ora 12:15: Disa nga protestuesit jgatë marshimit rreth e rrotull Kryeministrisë kanë rrëzuar gardhin me tela të vendosur nga policia, si në pjesën pas Kryeministrisë ashtu dhe nga ana e Piramidës. Protestuesit kanë hedhur shashka dhe gurë. Kreu i PD prin protestuesit dhe për shëndetet me ta, ndërsa hera-herës dëgjohen zhurmat e fishekzjarreve e shashkave.

Turma rrethon kryeministrinë, Noka: Rama ik, dorëzohu

 

Ora 12:10- Ish-deputeti Flamur Noka ka marrë sërish fjalën dhe iu ka kërkuar protestuesve të vazhdojnë marshimin rreth Kryeministrisë. Ai i ka kërkuar kryeministrit Edi Rama të largohet sa nuk është vonë. “A e mbajmë të rrethuar strehën e krimit e korrupsionit? A e vazhdojmë marshimin?”, tha Noka, teksa në sfond luhej muzika e njohur e filmit Skënderbeu.

 

Protestuesit hedhin shashka dhe tymuese drejt Kryeministrisë

 

Ora 12:00– Pas rrethimit të kryeministrisë në mënyrë simbolike, protestuesit kanë hedhur shashka dhe tymuese në drejtim të godinës së kryeministrisë.

 

E motra s’la mandatin, Kiri Hajdari besnik i kryedemokratit Basha

 

Ora 11:50- Edhe pse e motra nuk pranoi të dorëzojë mandatin, duke dalë kështu kundër vendimit politik të partisë së saj, Kiri Hajdari duket të jetë ndër më besnikët e kryedemokratit Lulzim Basha. Ai është parë në krah të kreut të opozitës gjatë marshimit drej kryeministrisë, në protestën e opozitës së bashkuar.

 

Noka: Rama ik, nuk përfaqëson më popullin

 

Ora 11:40- Ish-deputeti Flamur Noka ka marrë fjalën i pari në protestë dhe ka ftuar protestuesit të marshojnë. Ai i ka bërë thirrje kryeministrit Edi Rama të ikë, pasi nuk përfaqëson më popullin.

“Të tregojmë se dimë të protestojmë. Të ju tregojmë se përfaqësojmë vlerat tuaja, vlerat e qytetrimit. Ne do të marshojmë, kjo protest do të jetë marshim.

Përshëndetje vëllezër dhe motra. Qytetarë të Tiranës dhe të mbarë Shqipërisë. Kjo është protesta më e madhe që ka njohur ndonjëherë historia. Kjo është shenjë e revoltës më të madhe popullore ndaj një regjimi. Rama ik! Rama ik, se nuk përballon revoltën e popullit ndaj teje dhe bandës tënde.

Ne sot po bëjmë një muaj nga dita kur ju qytetarët e Shqipërisë, populli shqiptar, vendosi të shkruajë historinë e vet. Është dita kur këto zyra, ky kryebandit që është i strehuar aty mori një mesazh. Dhe mesazhi çdo ditë e më shumë kumbon ‘Rama ik, Rama ik’.

Rama ik, se ti nuk mundesh të rrish më në atë karrige. Ti mund të ikësh kudo, por je i rrethuar, kudo që të shkosh, je i rrethuar nga revolta e popullit tënd. Je i rrethuar nga përbuzja e qytetarëve të tu, që i ke shkelur, i ke dhunuar dhe i ke varfëruar. Rama ik!

Vëllezër e motra, kjo protestë do të jetë marshim. Na ndiqni! Do të jetë marshim, sepse ne do të tregojmë se dimë të protestojmë, Rama ik, Rama ik! Na ndiqni! Na ndiqni në këtë marshim proteste, në këtë marshim revolte ndaj bandës dhe korrupsionit, ndaj kryebanditit. Rama ik! Rama ik! Rama ik! Populli ka folur! Rama ik! Nuk përfaqëson dot ti shqiptarët më. Rama ik! Rama ik! Rama ik! Na ndiqni, na ndiqni vëllezër!
Rama ik! Rama ik! Koha e fjalëve ka mbaruar. 16 shkurti ishte dita kur koha e fjalëve mori fund. Është koha e veprimit qytetar, Rama ik, Rama ik. Na ndiqni, e morët e vesh apo jo?!
Marshim proteste! Do të marshojmë, protest ndaj bandës. Përpara!”, tha Noka.

 

Kryemadhi: Sot hapet etapë e re, protesta në dorë të qytetarëve

 

Ora 11:20 -“Çdo ditë që Rama qëndron në pushtet është ditë e zezë. Shqiptarët po kuptojë se e keqja më e madhe është përfaqësuesi i krimit. Janë qytetaret që vendosin se sa do të zgjasë protesta. Ish deputetët e opozitës janë qytetar dhe ne sot jemi qytetarë të thjeshtë. Ne jemi përfaqësues të atyre njerëzve që duan taksa më të ulëta, duan shëndetësi me standarde evropiane. Sot nis një etapë e re”- tha Kryemadhi.

 

Basha del nga selia, i bashkohet protestuesve tek Kryeministria

 

Ora 11:10- Kreu i PD Lulzim Basha i shoqëruar nga anëtarët e tjerë të PD ka dalë nga selia blu dhe i është bashkuar protestueseve tek Kryeministria.

 

Protesta e opozitës tek kryeministria, nis marshimi drejt Bulevardit

 

Ora 11:02– Protestuesit e grumbulluar në pika të ndryshme të kryeqytetit kanë nisur marshimin në drejt Bulevardit ‘Dëshmorët e Kombit’ për të mbërritur para godinës së kryeministrisë.

 

Shoqërohet një protestues, ofendoi punonjësit e policisë me fjalë

 

Ora 10:30- Gazetarja Klodiana Lala raportoi për “BalkanWeb” se një qytetar që kishte mbërritur për protestën në Bulevard është shoqëruar nga policia pasi ka përdorur fjalë fyese ndaj efektivëve të policisë që ndodhen rreth Kryeministrisë. Nuk dihet identiteti, por sipas burimeve, qytetari do merret në pyetje dhe mund të lirohet.

 

Basha mbërrin në selinë e PD, shoqërohet nga bashkëshortja

 

Ora 10:20- Kreu i PD, Lulzim Basha ka mbërritur në selinë e PD rreth 1 orë para nisjes së protestës para godinës së kryeministrisë. Mësohet se kryedomokrati ka mbërritur në seli së bashku me bashkëshorten e tij.

 

Opozita protestë para kryeministrisë, ja nga do e ndjekë Rama

 

Ora 10:05-Kur na ndajnë më pak se 1 orë nga protesta e opozitës përballë godinës së kryeministrisë, mësohet se kryeministri Edi Rama nuk do jetë në Tiranë. Mësohet se kryeministri Edi Rama do jetë në qytetin e Beratit, ku do zhvillojë në orën 10:30 një takim me 200 operatorë turistik.

 

Emigranti: Kam ardhur nga Britania për protestë. Jo diktaturës

 

Ora 09:02-Qindra qytetarë janë nisur nga Shkodra për të ardhur në Tiranë ku do të zhvillohet protesta e opozitës së bashkuar. Por përveç qytetarëve që jetojnë çdo ditë në vend, protestës i janë bashkuar edhe emigrantë që jetojnë jashtë shtetit. Një prej tyre, Naim Hasani i ardhur nga Britania tha se të gjithë shqiptarët dhe qytetarët e ndershëm duhet të protestojnë kundër regjimit kriminal të Rilindjes dhe për të mbrojtur votën e lirë. Ai bëri thirrje që protesta të jetë paqësore për t’i treguar botës se shqiptarët janë një komb qytetar që nuk e do diktaturën.

 

Numri i protestueseve nga rrethet sipas PD:

 

Qarku Shkodër – 9200

Qarku Lezha – 7000

Qarku Kukës – 4100

Qarku Dibër – 3500

Qarku Durrës – 9500

Qarku Elbasan – 7800

Qarku Berat – 3400

Qarku Fier – 5600

Qarku Vlorë – 5000

Qarku Gjirokastër – 2000

Qarku Korçë – 4500

 

Protesta, Meta ndryshon axhendën, ndërpret vizitën në Azerbajxhan E motra s’la mandatin, Kiri Hajdari besnik i kryedemokratit Basha Protesta, qytetarët nga rrethet nisen drejt Tiranës (Video) Rama-Bashës:S’na prekni as fijen e flokut, në qeveri deri në 2021